Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

KONTRATA KOLEKTIVE MIDIS MAS DHE FSASH E SPASH, 2015-2017

 



 

 

Ministria e Arsimit
dhe Sportit

 

 

Federata e Sindikave te Arsimit dhe Shkences

 

Sindikata  e Pavarur Arsimit te Shqiperise

 

 

 

 

                             

 

 

 

 

Sot, më datën 16 dhjetor 2015, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në prani të palëve, nënshkruhet kjo Kontratë Kolektive Pune, midis:

Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, MAS, përfaqësuar nga Ministrja, znj. Lindita Nikolla, nga njëra anë, dhe:

-Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë (FSASH), përfaqësuar nga Kryetari, z. Xhafer Dobrushi, dhe
- Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), përfaqësuar nga Presidenti,
 z. Nevrus Kaptelli, nga ana tjetër.

Palët nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive konstatojnë se në fazën përgatitore për fillimin e bisedimeve për negocimin dhe nënshkrimin e Kontratës së re Kolektive të Punës, bazuar në nenet 163, 164 e në vijim të Ligjit nr. 7961 datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” ( i ndryshuar), pala punëmarrëse provoi identitetin e saj, përfshirë depozitimin në MAS të statuteve të secilës sindikatë, vendimet e Gjykatës së Tiranës, që i njeh ato si persona juridik, treguesit e përfaqesueshmërisë për anëtarësinë sindikale, si dhe marrëveshjen që kanë të dy sindikatat ne kuadrin e Aleances Sindikale  për t’u paraqitur si palë e vetme përpara punëdhënësit, te perfaqesuar nga dy bashkekryetaret, për negocimin dhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive të Punës. Në bazë të këtyre dokumenteve, FSASH dhe SPASH rikonfirmohen nga punëdhënësi, si partnerët e vetëm në rolin e punëmarrësit për të gjithë të punësuarit në sistemin e arsimit publik parauniversitar.

Bazuar në sa thuhet më sipër, palët konfirmojnë se mbasi zhvilluan procesin e bisedimeve dypalëshe dhe, në përfundim të tyre, arritën të formulojnë  tekstin përfundimtar të Kontratës Kolektive të Punës, me përmbajtjen që vijon:

Neni 1

Baza ligjore

1.1 Kjo Kontratë Kolektive mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në nenet 50 dhe 51, në Konventat Ndërkombëtare të Punës, veçanërisht në Konventat nr. 87 dhe 98, në Ligjin nr. 7961 datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, ( i ndryshuar), nenet 159-188, në Ligjin nr. 69/2012 datë 21.6.2012 “ Per Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”,i ndryshuar, dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës në tërësi dhe ato në fushën e arsimit në veçanti.

Neni 2

Fusha e zbatimit të Kontratës

2.1. Kjo Kontratë Kolektive i shtrin efektet e saj mbi të gjithë personelin mësimor të punësuar në sistemin arsimor publik parauniversitar, përfshirë mësuesit e arsimit parashkollor, mësuesit e arsimit fillor, mësuesit e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë.

2.2. Për arsimin parauniversitar si dhe për punonjësit e tjerë që janë në varësi të drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore, kontratat kolektive të nivelit të dytë lidhen midis DAR/ZA dhe seksioneve sindikale të dy sindikatave nënshkruese të Kontratës Kolektive të nivelit të parë.

2.3. Dispozitat e Kontratës Kolektive të nivelit të parë janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha nivelet e tjera që legjitimohen për nënshkrimin e kontratave kolektive të nivelit te dytë, në kuptimin që këto subjekte nuk mund të përfshijnë në kontratë më pak të drejta për punëmarrësit se sa legjislacioni shqiptar dhe Kontrata Kolektive e nivelit të parë.

2.4. Palët nënshkruese në kontratat kolektive të nivelit të dytë, mbështetur ne veçoritë lokale, mund të përfshijnë në kontratën kolektive të nivelit të dytë të drejta dhe përfitime në favor të punëmarrësve në një vëllim më të madh se ato të nivelit të parë, me kusht që këto të drejta dhe përfitime të mos bien në kundërshtim me dispozitat e shprehura në mënyrë ndaluese në legjislacionin e marrëdhënieve të punës ose dispozitat e Kontratës Kolektive të nivelit të parë.

2.5. Pala punëmarrëse, në procesin e lidhjes së kontratës kolektive të nivelit të dytë, duhet të paraqesë para punëdhënësit dokumentacionin ligjor të përfaqsueshmërisë, si dhe autorizimin me shkrim nga Kryesitë e sindikatave nënshkruese të Kontratës Kolektive të nivelit të parë.
 
Neni 3

Kohëzgjatja e Kontratës

3.1 Kjo Kontratë Kolektive do të zbatohet nga data e nënshkrimit të saj deri më 31 maj 2017.

Neni 4

P u n ë s i m i

4.1. Me nënshkrimin e kësaj Kontrate dhe depozitimin e saj në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, të gjithë punonjësit që aktualisht kanë një vend pune në sistemin e arsimit parauniversitar, dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 57, pika 1, shkronja “a” dhe “b”, pika 2 dhe 3; neni 72, pika 5 të Ligjit nr. 69/2012 dhe nenin 4, pika 4 të kësaj Kontrate  ruajne statusin e të punësuarit me kontratë për një kohëzgjatje të pacaktuar. Këtë të drejtë e gëzon cdo i punësuar që aktualisht është brenda sistemit, por përsa i përket mbrojtjes ligjore të marrëdhënieve të punës të cdo individi para punëdhënësit, para komisioneve të pajtimit apo në gjykatë, sindikatat nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive angazhohen dhe mbrojnë vetëm anëtarët e tyre.
Punonjësit e tjerë që nuk janë të anëtarësuar në FSASH/SPASH përfitojnë  nga dispozitat e përgjithshme të kësaj Kontrate Kolektive, që zakonisht përbëjnë standarde dhe të drejta universale, por barrën e mbrojtjes para punëdhënësit, para komisioneve të pajtimit dhe në gjykatë e përballojnë vetë.

4.2. Anëtarë të sindikatës konsiderohen vetëm ata të punësuar që janë deklaruar me shkrim, në mënyrë vullnetare, për anëtarësimin në njërën nga sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate ose ne Aleancen Sindikale FSASH/SPASH dhe që paguajnë kuotizacionin sindikal, sipas mënyrës dhe masës që përcaktohet nga organet drejtuese qendrore sindikale.

4.3. Kriteret për ushtrimin e profesionit të mësuesit janë:

    a) Mësuesi i arsimit parashkollor, duhet të zotërojë diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “bachelor”.
    b) Mësuesi i arsimit fillor, mësues i arsimit të mesëm të ulët dhe mësues i gjimnazit – diplomë të ciklit të dytë të studimeve universitare si dhe të ketë marrë provimin e shtetit.
    c) Mësuesi i shkollave të mesme të profilizuara për muzikë, art dhe gjuhë të huaja, që jep lëndë profesionale, mësuesi i arsimit të orientuar dhe mësuesi që punon me nxënës me aftësi të kufizuara, duhet të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë të studimeve universitare.
    d) Diplomat e njëvlefshme me diplomat që citohen në shkronjat a,b,dhe c të sipërcituara përcaktohen me udhëzim të ministrit.
    e) Kriteret e përcaktuara në shkronjat a,b dhe c të nenit 4, pika 3, janë të detyrueshme edhe për arsimin jopublik.

4.4  Punësimet e reja në arsimin parauniversitar publik bazohen ne respektimin e këtyre kritereve:   
     a) Kandidatët që kanë fituar një diplomë mësuesie të nivelit që përcaktohet në shkronjat b,c dhe d te nenit 4.3 dhe kërkojnë të punësohen në sistemin e arsimit parauniversitar publik i nënshtrohen praktikes profesionale dhe provimit të shtetit, sic parashikohet ne Ligjin nr. 10171 datë 22.10. 2009 “ Për profesionet e rregulluara në Republiken  e Shqipërisë ( i ndryshuar) dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
     b) Kandidati që mbas praktikës profesionale fiton provimin e shtetit licensohet nga autoriteti i autorizuar nga Ministri i Arsimit dhe Sportit për të ushtruar profesionin e mësuesit.
     c) Vendet e punës që shpallen të lira në institucionet arsimore të arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë plotësohen vetëm nga kontigjentet e përcaktuar në shkronjat a dhe b, të cituara më sipër, sipas kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi.

4.5 Personi që merret në punë për herë të parë pajiset nga punëdhënësi me Librezë Pune, e cila është unike për të gjithë të punësuarit, sipas modelit të përcaktuar nga organi kompetent.

4.6 Punëdhënësi nuk mund të zgjidhë kontratën e punës pa shkaqe të arsyeshme. Shkaqe të paarsyeshme konsiderohen ato që përmban neni 146, pika 1, shkronjat a, b, c ,d, dhe e, të Kodit të Punës.

4.7. Zgjidhja e marrëdhënieve kontraktuale të punës nga punëdhënësi pa shkaqe të arsyeshme, është e pavlefshme. Në këtë rast, punëdhënësi detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim punëmarrësit, sipas dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi.

4.8. Kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme, për zgjidhjen e marrëdhënieve kontraktuale të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë ndaj punëmarrësit këto afate njoftimi:
- Një muaj, për të punësuarit që kanë një vit punë.
- Dy muaj, për të punësuarit që kanë dy deri në pesë vjet punë.
- Tre muaj, për të punësuarit që kanë me shume se 5 vjet punë.
Në mungesë të njoftimit të këtyre afateve, punëdhënësi është i detyruar t’i paguajë punëmarrësit pagën mujore që i korrespondon afatit të njoftimit, ( neni 143 i Kodit të Punës).

4.9  Punëmarrësi fiton shpërblim për vjetërsinë, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës midis tyre kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Në këtë rast, zbatohen dispozitat e nenit 145 të Kodit të Punës. Sindikatat nënshkruese të Kontratës Kolektive mbështesin anëtarët e tyre, që këtë shpërblim ta përfitojnë, duke negocuar me punëdhënësin ose duke e zgjidhur çështjen në rrugë gjyqësore.

4.10. Zgjidhja e menjëhershme e marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi  ose punëmarrësi bëhet duke respektuar dispozitat e neneve 153 deri 156 të KP.

4.11. Kushtet e punësimit të personelit në institucionet e arsimit special dhe të institucioneve të tjera trajtohen me kontratw kolektive të nivelit të dytë.

4.12. Punëdhënësi është i detyruar të ruaj vendin e punës:
a)  Për gratë me raport lindjeje.
b) Për punonjësit që nuk gëzojnë shëndet të plotë dhe këtë e vërtetojnë me raport mjeksor, për aq kohë sa zgjat paaftësia e përkohëshme. Këtë të drejtë e përfitojnë edhe punëmarrësit që marrin leje për kujdes familjar, me ose pa të drejtë page, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

4.13. Në kuptimin e nenit 31, 33 dhe 92 të Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “ Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, (i ndryshuar), i punësuari në arsimin parauniversitar mund t’i përfundojë marrëdhëniet e punës me kërkesën e tij ose të punëdhënësit, me kusht që i punësuari të ketë plotësuar kushtet që përmbajnë dispozitat e mësipërme dhe t’i këtë lindur e drejta për pension të plotë pleqërie. Në këtë rast, për të mos shkaktuar çrregullime në procesin mësimor, sidomos në marrëdhënie me nxënësit, punëdhënësit i ndalohet që t’i ndërpresë  marrdhëniet e punës të punësuarit për shkak të plotësimit të moshës së pensionit në 2 muajt e fundit të vitit shkollor.                                                                     

Neni 5

Ndryshimi i vendit të punës

5.1. Sindikatat mbështetin kërkesat e anëtarëve të tyre të punësuar në arsim për ndryshimin e vendit të punës, me kusht që të përmirësohet pozita e punëmarrësit. Sindikatat, së bashku me kërkesën e të punësuarit, për ndryshimin e vendit të punës, i paraqitin punëdhënësit përkatës edhe mendimin e tyre me shkrim dhe të argumentuar, jo më vonë se data 15 maj të çdo viti.

5.2. Miratimin ose mosmiratimin e kërkesës së punëmarrësit për ndryshimin e vendit të punës, punëdhënësi është i detyruar t’ia njoftojë me shkrim punëmarrësit 30 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse.

5.3. Ndryshimi i vendit të punës me iniciativën  e punëdhënësit, bëhet vetëm për raste të veçanta dhe konkretisht:
    a- për nevoja madhore në arsim, që lidhen me kërkesa urgjente për mësues me arsim përkatës në shkolla apo zona të caktuara brenda rrethit, ku si rezultat i mungesws sw mësuesve me arsim përkatës, vihet në pikëpyetje dhe rrezikohet mësimdhënia; 
    b- për t’u sistemuar në një shkollë tjetër, kur shkurtohet vendi i punës në shkollën e mëparshme. Kur ka vetwm njw konkurues pwr vendin e punws, sistemimi i mwsuesit nw shkollwn e re bwhet pa ju nenshtruar procedurave tw konkurimit. 
    c- për thyerje të disiplinës në punë, shkelje të legjislacionit të punës përfshirë Kontratën Kolektive dhe etikën profesionale, për mungesë profesionalizmi në ciklin përkatës;
    d- kur ndryshimi i vendit të punës bëhet për shkaqe që përcaktohen në shkronjat “a” dhe “b” të këtij neni, transferimi nuk duhet të ndikojë në keqësimin e shëndetit të punëmarrësit, as në përkeqësimin e kushteve ekonomike, financiare dhe të jetesës;
    e- për gratë me fëmijë nën moshën tre vjeç, ndryshimi i vendit të punës nuk bëhet kur rruga vajtje-ardhje zgjat më shumë se 30 minuta në këmbë, me përjashtim të rasteve kur transferimi bëhet me kërkesën e punëmarrëses ose është në favor të saj.

5.4 Si rregull, punëmarrësit i ndryshohet vendi i punës vetëm para fillimit të vitit mësimor, duke respektuar procedurat që përcakton Kodi i Punës dhe Kontrata Kolektive.

5.5 Në çdo rast, ndryshimi i vendit të punës bëhet vetëm brenda njësisë administrative në juridiksionin e drejtorisë / zyrës arsimore përkatëse dhe duke mbajtur parasysh shkallën e kualifikimit, vjetërsinë në punë, rezultatet në punë dhe nivelin arsimor.

5.6 Urdhri për ndryshimin e vendit të punës duhet t’i jepet punëmarrësit me shkrim dhe i motivuar, 10 ditë para ekzekutimit të parashikuar.

5.7 Për anëtarët e tyre, me kërkesën e sindikatave nënshkruese, punëdhënësi është i detyruar t’i verë në dijeni ato për motivet e transferimit, për pasojat juridike, ekonomike dhe sociale që vijnë në këtë rast.
 
5.8 Kur ka kundërshtime nga sindikata ose i interesuari, brenda 30 ditëve nga marrja e këtij njoftimi, palët duhet të bëjnë konsultime dhe të gjejnë zgjidhjet ligjore, në të kundërt, secila palë rezervon të drejtën t’i drejtohet Zyrës së Pajtimit, ose Gjykatës, vendimet e të cilës janë të detyrueshme për palët.

Neni  6

Koha e punës

6.1. Në arsimin parauniversitar zbatohet java 5 ditëshe e punës, nga e hëna deri të premten. Përjashtimet bëhen me marrëveshje të veçantë midis punëdhënësit dhe punëmarrësit.

6.2.  Në arsimin bazë (klasa 1-9) dhe në arsimin e mesëm, koha javore e punës përbëhet nga dy komponentë:
         a) Nga koha ditore gjatë së cilës punëmarrësi është në dispozicion të punëdhënësit. Në zbatim të kësaj kërkese palët konfirmojnë se mësuesit e punësuar në arsimin bazë dhe në arsimin e mesëm paraqiten në shkollë 20 minuta para fillimit të mësimit dhe qëndrojnë në ambientet e shkollës derisa mbaron programi mësimor i turnit përkatës, por jo më shumë se 6 orë 60 minutëshe në ditë.
Përjashtimet bëhen me marrveshje të posacme midis MAS dhe FSASH/SPASH.
          b) Nga normat e punës mësimore javore dhe vjetore, për çdo cikël, të cilat vendosen me Udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, në konsultim me sindikatat nënshkruese të Kontratës Kolektive të Punës, dhe konsiderohen si pjese e kësaj Kontrate.

6.3. Ngarkesa mësimore javore për punonjësit mësimorë  në arsimin  parashkollor është 36 orë në javë.

6.4. Mësuesit që punojnë në ciklin e ulët dhe mësuesit që kanë klasë në kujdestari, u barasvlerësohet kjo punë me dy orë mësimore.

6.5. Orët mësimore që mësuesi zhvillon mbi normën e caktuar në Udhëzimin e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, paguhen si orë suplementare. 

6.6.  Me kërkesë me shkrim të DAR/ZA dhe miratimin e Ministrit të Arsimit dhe Sportit, vetëm një mësues në shkollë për lëndë ose grup lëndësh, mund të punojë me një ngarkesë mësimore javore më të ulet se norma deri në 3 orë në javë, ose një normë vjetore e konvertuar me këtë masë javore. Në këtë rast, orët nën normë i zbriten mësuesit nga paga me tarifën e orës suplementare.

6.7. Ngarkesa mësimore e mësuesve të cilësuar “invalidë pune” do të jetë në përputhje me vendimin e KMCAP.

6.8. Mësimdhënësit gëzojnë të drejtën për punë suplementare të pagueshme deri në 30% të ngarkesës mësimore.

6.9. Mësuesit e cilësuar “invalidë pune” nuk mund të ngarkohen me orë mësimore mbi normë.

6.10. Orët shtesë mbi normë për veprimtaritë mësimore-edukative në ditët e pushimit javor për realizimin e programit ose të aktiviteteve zyrtare që bëjnë DAR dhe ZA, do të paguhen sipas nenit 91, pika 3 e Kodit te Punës.

6.11. Koha e punës për të punësuarit e tjerë të përcaktuar në Nenin 2 të kësaj Kontrate rregullohet me VKM.

6.12.Normat e punës mësimore edukative, përfshirë normat e vecanta dhe numrin e nxënësve për  klasë në institucionet e arsimit parauniversitar, janë sipas përcaktimit të bërë në Udhëzimin, Nr. 44, dt. 16. 10. 2014 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, i cili konsiderohet si pjesë e kesaj Kontrate. Ndryshimet bëhen në konsultim me sindikatat partnere.

Neni 7

Kushtet e punës

Institucioni arsimor duhet t’u krijojë mësuesve kushte dhe mundësi për punë krijuese dhe te pavarur në procesin e mësimdhënies, përfshirë:

  1. lirinë profesionale në zhvillimin dhe zbatimin e kurrikulës,
  2. sigurimin e kushteve të mjaftueshme për mësimdhënie efektive,
  3. krijimin e mundësive për zhvillim profesional dhe punë kërkuese.

7.2.  Të dy palët marrin përsipër që të punojnë së bashku duke harmonizuar kërkesat për pushtetin vendor lidhur me ruajtjen, mirëmbajtjen dhe ngrohjen e objekteve shkollore, krijimin e kushteve të përshtatshme higjeno-sanitare në kopshte dhe shkolla, perfshire mjetet e nevojshme per te siguruar higjenen vetiake, uje ne sasi te mjaftueshme, dhoma higjenike per grate, WC me standart dhe numur te mjaftueshem, si dhe krijimin e hapsirave të nevojshme që t’u mundësojne mësuesve kushte normale për punë dhe studim gjatë orëve të qendrimit në institucion.

Punedhenesi merr masat e duhura per dhenien e ndihmes se shpejte, sic percaktohet ne nenin 75 te Kodit te Punes.

 7.3. MAS dhe FSASH/SPASH do të negocojnë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për të mundësuar që mësuesit që janë të anëtarësuar në njërën nga sindikatat nënshkruese të Kontratës Kolektive, të përfitojnë falas ekzaminimin që kërkohet me Udhëzimin e përbashkët nr. 2 datë 25.6.2004, të dy dikastereve të cituara.

7.4 Shteti subvencionon shpenzimet për transportin e mësuesve dhe nxënësve të arsimit të detyruar që punojnë e mësojnë larg vendbanimit të tyre dhe që kthehen brenda ditës në vendbanim sipas akteve nënligjore perkatëse.

 

Neni 8
Koha e pushimit

8.1.  Koha e pushimit në sistemin e arsimit publik përbëhet nga pushimet javore dhe pushimet vjetore.

8.2. Pushimi javor është ditën e shtunë dhe ditën e diel.

8.3. Pushimet vjetore mbështeten në nenin 92, pika 2 të Kodit të Punës dhe në VKM nr. 220 datë 24.05.1994  “Për pushimin plotësues në sektorin e arsimit”. Në bazë të këtyre dispozitave, pushimet vjetore për mësimdhënësit dhe drejtuesit e tyre përbehen nga 56 ditë pune, ku përveç pushimeve verore, përfshihen edhe ditët kur mësimi ndërpritet sipas programit mësimor vjetor.
Për periudhën e verës koha e pushimit nuk mund të jetë më pak se 45 ditë kalendarike dhe nuk mund të ndërpritet më shumë se një herë.
Personeli drejtues dhe mwsimdhwnws nw arwsimin parashkollor gwzon 32 ditw leje vjetore.
8.4. Për efekt të lejes vjetore, në kohën e punës llogaritet edhe koha e paaftësisë së përkohshme në punë.

8.5. Punëmarrësit anëtarë të sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate, në rast martese ose vdekjeje të bashkëshortit, të paraardhësve ose pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, të motrave dhe vëllezërve, përfitojnë një pushim të paguar prej 5 ditësh.

8.6. Në rast sëmundjeje të rëndë të paraardhësve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë, të vërtetuar me raport mjekësor, punonjësit e arsimit, anëtarë të sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate, përfitojnë deri në 10 ditë leje të papagueshme në muaj. Pwr raste tw vecanta, me marrwveshje midis punëdhenësit dhe FSASH/SPASH, kjo leje mund të zgjatet deri në 30 ditë.

Neni 9

ZHVILLIMI I VAZHDUESHËM PROFESIONAL DHE KUALIFIKIMI I MËSUESVE

9. 1 Institucioni arsimor planifikon zhvillimin profesional të mësuesve, sipas nevojave të tyre dhe në përputhje me politikat arsimore qendrore, vendore dhe të institucionit, përfshirë zhvillimin e brendshëm profesional, trajnimet, rrjetet profesionale, këshillimet dhe kurset afatshkurtra dhe afatgjata.
Zhvillimi i brendshëm profesional bëhet në nivel shkolle nëpërmjet këshillit të mësuesve dhe ekipeve lëndore.

9.2. Punëdhënësi merr përsipër trajnimin profesional të mësuesve sipas nenit 58 të Ligjit 69/2012 për jo më pak se 3 ditë në vit.
       
9.3 Punonjësit arsimorë të institucioneve, që kanë nxënës me aftësi të kufizuara, certifikohen në programe trajnimi për trajtimin e këtyre nxënësve

9.4. Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me Udhëzim të Ministrit, mbas konsultimit me sindikatat partnere.

          
Neni 10

Sistemi i pagave dhe shpërblimeve

10.1. Mbështetur në Strategjinë e Sistemit Arsimor Parauniversitar dhe në Programin e Qeverisë, që e konsideron arsimin si sektor parësor, të dy palët bien dakord që të punojnë së bashku për të ndërtuar e zbatuar, nga viti në vit, një sistem pagash dhe shpërblimesh që mundëson një vlerësim më të mirë të figurës dhe punës së mësuesit dhe një motivim më të madh të tyre, të bazuar në angazhimin në procesin e reformimit e modernizimit të arsimit dhe të cilësisë së mësimdhënies.

10.2. Palët bien dakord që, në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, të Kartës së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Kartës Sociale Evropiane, të garantojnë për të punësuarit në të gjithë nivelet e arsimit parauniversitar publik pagë të barabartë për punë të barabartë dhe profesion të njëjtë, pa asnjë dallim.

10.3. Pagat e punonjësve mësimorë dhe ndihmës në sistemin e arsimit parauniversitar janë sipas strukturës së pagave të miratuara me VKM nr. 194 datë 22.04.1999 ( te ndryshuar)”Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”.

10.4. Pala punëdhënëse konfirmon se, bazuar në nenin 1 të Ligjit nr. 8487 datë 13.05.1999 “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, ne kuadrin e partneritetit social, në procesin e hartimit të buxhetit të çdo viti do të konsultohet dhe të marrë mendimin e sindikatave nënshkruese të Kontrates Kolektive, përpara se propozimet përkatëse të dërgohen në Qeveri.
Në mënyrë të posaçme, MAS do të zhvillojë çdo vit konsultime me FSASH/SPASH për ndërtimin e raporteve më të drejta midis pagës minimale dhe maksimale në sistemin publik të arsimit parauniversitar, të komponentit të pagës që ka të bëjë me përgatitjen dhe aftësimin profesional të mësuesve, si dhe me ndërtimin e një sistemi që inkurajon dhe motivon mësuesit që dallohen për rezultate më të mira në objektivin e arsimit cilësor, zgjidhje këto që vendosen e përballohen brënda kuotave të buxhetit të shtetit të aprovuar për këtë nivel arsimi.

10.5 Pala punëdhënëse pranon kërkesen e sindikatave që rritja vjetore e pagës për punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, në cdo rast, të mos jetë më e ulët se përqindja zyrtare e inflacionit në vend.  

10.6. Në bazë të nenit 21 të Kartës Sociale Evropiane për të drejtën e partnerëve socialë për informim dhe me qëllim që të luftohen me efikasitet shpërdorimet dhe korrupsioni në menaxhimin e buxhetit të arsimit, sidomos për pagat, shpërblimet, shpenzimet operative dhe investimet, punëdhënësi është i detyruar që të njohë përfaqësuesit kryesorë të Sindikatave Qendrore me të gjitha të dhënat përkatëse financiare, të burimeve njerëzore, etj. Ky detyrim qëndron edhe për partnerët në nivelin e dytë. 

10.7. Paga e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni është e garantuar për të gjithë të punësuarit në arsim në mënyrë definitive.

10.8. Kur mësuesit kryejnë orë mësimi mbi ngarkesën mësimore vjetore të parashikuar në këtë kontratë, orët suplementare u paguhen sipas dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi.

10.9. Mësimdhënësit që punojnë larg vendbanimit të tyre marrin një shtesë në pagë sipas kritereve që përmban VKM nr. 194 datë 22.04.1999, të cilën e përmendëm më lart. Masa e shpërblimit për mësuesit që punojnë brenda njësisë administrative të DAR/ZA të tyre dhe që kthehen brenda ditës në shtëpi bëhet sipas vendimeve përkatëse për këto pagesa.

10.10. Me autorizim me shkrim nga sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate kolektive, mësuesit që dalin në pension përfitojnë një deri në dy paga mujore shpërblim, në vartesi të viteve të punës në arsim.

10.11  Punëdhënësi, bazuar në Marrëveshjen datë 28.01.1999 nënshkruar nga Qeveria shqiptare dhe FSASH, në VKM nr. 601 datë 17.12.2000 dhe VKM nr. 230 dt. 19.4.2006 njeh të drejtën e fituar nga Sindikatat Partnere për shpërblim vjetor të mësuesve në sistemin e arsimit publik parauniversitar. Masa e shpërblimit caktohet me marrëveshje midis palëve.

Neni 11

MBËSHTETJA E STRATEGJISË, REFORMIMIT DHE MODERNIZIMIT TË ARSIMIT

11.1. Sindikatat nënshkruese të kësaj kontrate kolektive, konfirmojnë se arsimi cilësor publik dhe jopublik dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës do të jenë prioritet i punës së tyre, se mbështesin dhe përfshihen aktivisht në procesin e hartimit dhe zbatimit të Reformës së Sistemit Arsimor Parauniversitar, për reformimin dhe modernizimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, se vlerësojnë programin e Qeverisë që e konsideron  arsimin si sektor prioritar, dhe ofrojnë  bashkëpunimin e tyre për përdorimin me efektivitet, kundër çdo abuzimi, shpërdorimi apo korrupsioni në dëm të buxhetit të shtetit.

11.2. Nëpërmjet seminareve, tryezave, diskutimeve në këshillat sindikale e forumet sindikale, sindikatat do të zbërthejnë aspekte të veçanta të Reformes se Sistemit Arsimor Parauniversitar, përfshirë arsimin cilësor, krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë nxënësit, procesin e vlerësimit, të motivimit, tekstet etj, duke e vënë theksin në njohjen dhe zbatimin e këtyre kërkesave nga mësuesit dhe anëtarët e sindikatave.

11.3. Sindikatat partnere bien dakord që të bashkërendojnë veprimtarinë e tyre me punëdhënësin dhe me aktorë të tjerë të interesuar për arritjen e këtyre qëllimeve.  

Neni 12

 ANGAZHIM I PERBASHKET PËR ULJEN E NUMRIT TË FËMIJËVE QË BRAKTISIN SHKOLLËN DHE ELEMINIMIN E PUNËS SË FËMIJËVE

12.1 Të dy sindikatat e arsimit, FSASH e SPASH, angazhohen që, me mundësitë e tyre dhe me mbështetje të tjera, sidomos nga Federata Ndërkombëtare e Arsimit, EI, nga sindikatat homologe, etj, të bëjnë një punë të veçantë për uljen e numrit të nxënësve që braktisin shkollën dhe eliminimin e punës së fëmijëve.

12.2. Nëpërmjet trajnimeve të drejtuesve sindikalë dhe të anëtarëve të sindikatave, si dhe nëpërmjet formave të tjera të punës konkrete në shkolla e në komunitet, ato do të synojnë për rritjen e numrit të mësuesve të angazhuar në një punë të veçantë me nxënësit që braktisin shkollën ose që janë në rrezik për ta braktisur atë, duke krijuar për ta një mjedis më tërheqës dhe më prindëror dhe duke pasur si objektiv eliminimin e punës së fëmijëve.

12.3. Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke e patur si një ndër prioritetet e strategjisë së saj, mbështet këtë angazhim dhe siguron gatishmërinë e Institucioneve Arsimore për veprime të përbashkëta, duke nxitur edhe përfshirjen e organizmave të nxënësve dhe prindërve që veprojnë në shkolla. 

12.4. Me propozimin e kryesive të sindikatave nënshkruese të Kontratës Kolektive, DAR dhe ZA shpërblejnë mësuesit që janë të angazhuar drejtpërdrejt dhe kanë rezultate të matshme për uljen e numrit të nxënësve që braktisin shkollën dhe eliminimin e punës së fëmijëve                            

Neni 13

Liritë dhe te drejtat sindikale

13.1. Ministria e Arsimit dhe Sportit tërheq vazhdimisht mendimin e sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore që lidhen me reformën në arsim, me marrëdhëniet e punës, pagat, shpërblimet, kushtet e punës, etj.

13.2. Sindikatat nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive pajisen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me aktet e nxjerra prej saj, njëkohësisht me DAR/ZA dhe strukturat e tjera në vartësi të MAS.

13.3. Për të garantuar të zgjedhurit në vendet drejtuese sindikale në kryerjen e detyrës së tyre, përfshirë kryetarin, nën/kryetarin dhe sekretarin e Këshillit Sindikal të rrethit, si dhe kryetarët e këshillave sindikale në shkolla, punëdhënësit i ndalohet t’i largojë ata nga puna, ose t’u ndryshojë vendin e punës, pa marrë më parë pëlqimin me shkrim të Kryesisë së SPASH e FSASH, përveç rasteve kur vërehen shkelje të ligjit ose të Kontratës Kolektive te Punës.

13.4. Drejtuesve te seksioneve sindikale në rrethe të secilës sindikatë nënshkruese të Kontratës Kolektive, për t’u mundësuar marrjen me veprimtari sindikale, mbështetur ne nenin 181, pika 7 e Kodit të Punës, u reduktohet ngarkesa mësimore javore, nga 5 deri në 10 orë në javë, si rregull, sipas numrit të anëtarësisë me kuotizacion.
Për seksionet sindikale në qarqe, që kanë më shumë se 600 anëtarë, i reduktohet norma mësimore javore edhe një personi të dytë me 6-8 orë në javë.
Masa konkrete e reduktimit të ngarkesës mësimore javore për çdo drejtues seksioni vendoset me marrëveshje midis dy sindikatave dhe u njoftohet drejtorive arsimore rajonale në fillim të çdo viti mësimor. Titullarët e sindikatave qendrore mund të anulojnë në çdo kohë kërkesën e tyre për ulje të normës mësimore për ata drejtues sindikalë vendorë që nuk e justifikojnë këtë lehtësi që u bëhet.


13.5. Me kërkesën e  FSASH/SPASH, të zgjedhurve në kryesitë e sindikatave në shkallë rrethi dhe këshilli sindikal, u sigurohet leje e pagueshme për të marrë pjesë në veprimtaritë sindikale lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Kërkesa i paraqitet DAR ose ZA nga kryesitë e seksioneve sindikale vendore, të paktën 3 ditë para aktivitetit. 

13.6. Me kërkesën e kryesive të dy sindikatave nënshkruese të Kontratës, Drejtoria Arsimore e Qytetit Tiranë vë në dispozicion të tyre, për t’u marrë me veprimtari sindikale, nga një mësues  për secilën sindikatë me ngarkesë mësimore javore të reduktuar, duke i ngarkuar këta mësues me jo më shumë se 10 orë mësimi në javë.

13.7. Në pajtim me nenin 181, pika 6 e Kodit të Punës, të zgjedhurit në organet sindikale në qendër e në rrethe, me mbarimin e mandatit, kanë të drejtë për t’u rikthyer në punë në profilin e tyre.

13.8. Sindikatat nënshkruese të kësaj Kontrate Kolektive, me kërkesën e tyre, duhet të  njihen me të gjithë treguesit ekonomiko-financiar në nivel qendror dhe lokal.

13.9. Dita e Mësuesit, 7 Marsi dhe Dita Ndërkombëtare e Mësuesve, “5 Tetori” do të jenë në të gjithë vendin ditë veprimtarish kushtuar këtyre festave.

13.10. Veprimtaritë sindikale zhvillohen në mjediset e shkollës, pa dëmtuar procesin mësimor. Seksionet dhe Këshillat Sindikale kanë të drejtë të shpërndajnë dhe publikojnë në mjediset e institucionit arsimor, njoftime, programe, objektiva, përfshirë Kontratën Kolektive dhe dokumente të tjera të tyre.


13.11 Punedhenesi ne nivel institucioni arsimor ve ne dispozicion te punemarresit nje kopje te Kodit te Punes dhe nje kopje te Kontrates Kolektive te Punes. .

13.12. Kryetarëve të këshillave sindikale në shkolla që përfaqësojnë më shumë se 15 anëtarë, nuk duhet t’u caktohet klasë në kujdestari.

13.13. Ministria e Arsimit dhe Sportit u siguron dy sindikatave qendrore, mjedise pune dhe pajisje për zhvillimin normal të veprimtarisë së tyre, ndërsa drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore të rretheve duhet t’u sigurojnë ambiente dhe pajisje pune seksioneve sindikale të FSASH dhe SPASH.

13.14. Për të lehtësuar pjesëmarrjen e kryetarëve të seksioneve sindikale të rretheve në mbledhjet e këshillave drejtuese qendrore të tyre, për 4 (katër) mbledhje në vit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore të rretheve, mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe dietat, mbi bazën e vërtetimeve me shkrim të lëshuara nga kryesitë e sindikatave qendrore.

13.15 Punëdhënsi, bazuar në nenin 117/2 të Kodit të Punës, vetëm me autorizim personal me shkrim nga mësuesit anëtarë të sindikatave nënshkruese të kësaj Kontrate, zbret nga listë pagesat kuotizacionin sindikal dhe e xhiron në llogaritë përkatëse të FSASH dhe SPASH.

Neni 14

Zgjidhja e MOSMARRËVESHJEVE

14.1   Palet bien dakort qe kur Kontrata Kolektive nuk zbatohet ose shkelet nga njera pale, do te behen perpjekje te perbashketa qe mosmarreveshja te zgjidhet me mirekuptim nepermjet rruges se bisedimeve dypaleshe. Nese kjo nuk arrihet, pala e demtuar i drejtohet Gjykates Administrative, duke kerkuar zbatimin e pikes 2,3 dhe 4 te nenit 170 te Ligjit 6971 date 12.7.1995 “ Kodi i Punes i Republikes se Shqiperise”, ( i ndryshuar)

14.2 Për rastet kur vertetohen shkelje te dispozitave te kesaj kontrate, keqinterpretim apo keqzbatim në dëm të nje apo disa sindikalisteve, pala punemarrese do të ndjekë procedurën e mëposhtme për zgjidhjen e tyre:
a-Të punësuarit qe kanë ankesa lidhur me shkeljen e te drejtave te tyre te garantuara nga kontrata kolektive dhe legjislacioni i marredhenieve te punessë, fillimisht, nepermjet sindikates ku bejne pjese, duhet ta diskutojnë  ceshtjen me punedhenesin e institucionit arsimor.
b-Nëse ankesa nuk zgjidhet me mirëkuptim sipas pikes 1 te ketij neni, i interesuari ose sindikata i drejtohet me shkrim titullarit të njesise arsimore ne territorin e se ciles ka lindur ankesa.
c-Në parashtrimin e ankesës duhet të përfshihen: emri i të punësuarit, paraqitja e fakteve, përcaktimi i nenit të shkelur në kontratë me referencat përkatëse, si edhe shkeljet e akteve ligjore ose nënligjore.
d-Njesia arsimore vendore, brenda 15 ditëve shqyrton ankesen dhe komunikon vendimin me shkrim për ankuesin.
e-Ankuesi, brenda nje afati 30 ditor mund ta apelojë  vendimin e titullarit te njesise aresimore vendore ne MAS.
f- Nëse pas kësaj procedure, konflikti nuk gjen zgjidhje, pala e interesuar, me mbeshtetjen e sindikates, i drejtohet Gjykatës.

Neni 15

Detyrimet dhe sanksionet

15.1. Palët kontraktuese janë të detyruara të përmbushin dhe respektojnë detyrimet që lindin nga Kontrata, duke respektuar kërkesat dhe duke zbatuar zgjidhjet qe përmbajnë nenet 169 deri 172 të Kodit të Punës.

15.2  Pala që shkel dispozitat e kësaj kontrate në nivelin e parë ose të dytë duke i shkaktuar dëm material ose moral palës tjetër, detyrohet të cdëmtojë palën e dëmtuar sipas përcaktimeve që bëhen në pikën një deri shtatë të nenit 202 të Ligjit për Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë.
 
15.3. Në rast të thyerjes së disiplinës në punë, dëmtimit të rëndë ose të përsëritur të pasurisë së institucionit, punëmarrësve u jepen këto masa disiplinore:

  1. Këshillim.
  2. Vërejtje.
  3. Vërejtje me paralajmërim.
  4. Zbritje në detyrë ose zbritje në një cikël më të ulët arsimi për një vit.
  5. Dëmshpërblim i dëmit, në masën që vendosin palët nënshkruese të kësaj Kontrate ose Gjykata.
  6. Largim nga puna.

15.4. Në rast të thyerjes së rëndë të etikës në punë dhe të sjelljeve ekstremiste të padenja, nga ana e punëmarrësit mund të bëhet zgjidhja e menjëhershme e kontratës individuale të punës, bazuar në Nenin 153 të Kodit të Punës.

Neni 16

E drejta e aksionit sindikal dhe e grevës

16.1. Për arritjen e qellimeve të tyre që janë mbrojtja e interesave dhe kërkesave sociale ekonomike të anëtarëve që përfaqësojnë, sidomos per probleme qe lidhen me pagat, shperblimet, kualifikimin e punonjesve, etj.,në mbrojtje të zhvillimit të reformës dhe modernizimit të arsimit, të rritjes së cilësisë së procesit mësimor, sindikatat nënshkruese të Kontratës Kolektive, si partnere të ligjshme të punëdhënësit, MAS dhe Qeverisë, do të përdorin, në radhë të parë, negocimin dhe dialogun social, do të bëjnë argumentimin social e ligjor të kërkesave të tyre.

16.2. Por, nëse rrugët dhe mjetet sindikale që përshkruhen në pikën 1 të këtij neni nuk do të japin rezultat, në kuptimin që nuk do të çojnë në zgjidhjen e kërkesave të parashtruara, në bazë të nenit 50, pika 1 e Kushtetutës së Republikës se Shqipërisë, që garanton të drejtën e grevës dhe në bazë neneve 197, 197/1, 197/2, 197/3, 197/4, 197/8, 197/9 dhe 197/10, të Kodit të Punës, të dy Sindikatat Qendrore nënshkruese të Kontratës Kolektive kanë të drejtë të përshkallëzojnë lëvizjen sindikale me anë të protestave, manifestimeve deri te greva e pjesshme ose e përgjithshme.

Neni 17

DISPOZITA TË FUNDIT

17.1. Palët, me pëlqim të dyanshëm, mund t’i bëjnë plotësime dhe ndryshime kësaj Kontratë Kolektive gjatë periudhës që ajo është në fuqi, në përputhje me ndryshimet që mund të ndodhin në legjislacionin e vendit ose ndryshime të tjera, që lidhen me procesin e reformimit e modernizimit të arsimit.

17.2. Kjo Kontratë Kolektive mund të zgjidhet nga secila palë vetëm mbas kalimit të afatit të përcaktuar në nenin 3 të saj, si dhe duke respektuar procedurat që përcaktohen në dispozitat përkatëse të Kodit të Punës.

17.3. Dispozitat e kësaj Kontrate Kolektive që përbëjnë standarde, janë të detyrueshme për të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit e nivelit të dytë, dhe kontratat individuale që lidhen midis punëdhënësve të çdo niveli dhe punëmarrësve në sistemin e Ministrisë Arsimit dhe Sportit.

17.4. Në kuptim të kësaj Kontrate Kolektive, kontrata të nivelit të dytë konsiderohen ato që lidhen nga DAR/ZA me seksionet sindikale të FSASH/SPASH në qarqe e rrethe, kontratat kolektive që lidhen midis titullareve të shkollave jopublike të sistemit të arsimit parauniversitar dhe universitar me sindikatat përkatëse, si dhe kontratat që lidhin titullarët e universiteteve dhe institucionet kërkimore-shkencore që janë pjesë e sistemit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me sindikatat përkatëse të këtyre institucioneve.

Neni 18
                                                           
DEPOZITIMI

18.1. Kontrata Kolektive e Punës, hartohet në katër kopje të barazvlefshme, nga të cilat një depozitohet në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, një në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe nga një në secilën sindikatë nënshkruese.

                       

PËR                            MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT  

Lindita  NIKOLLA
Ministre                      
     

PËR FEDERATËN E SINDIKATAVE TË ARSIMIT DHE SHKENCËS           

Xhafer  DOBRUSHI
Kryetar                                               

PËR SINDIKATËN E PAVARUR TË ARSIMIT
TË SHQIPERISË 
 

Nevrus  KAPTELLI
President