Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

Rezolutë e Kongresit të Tretë të KSSH-së

Për zgjerimin e angazhimit të strukturave të KSSH

për eliminimin e punës së fëmijëve

  1. Kongresi vlerëson punën e deritanishme në lidhje me përfshirjen dhe angazhimin e strukturave të KSSH-së për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e punës së tyre, dhe ngarkon këshillin drejtues dhe kryesinë e saj që të zgjerojnë angazhimin e tyre, sidomos në drejtim të trajnimit të drejtuesve sindikalistë në nivel qendror e lokal, me qëllim që ata vetë të njohin standardet ndërkombëtare në lidhje me punën e fëmijëve dhe të punojnë për të zgjeruar rrjetin e drejtuesve sindikalistë qe mund të merren me këtë çështje.
  2. Kryesia dhe komiteti ekzekutiv i KSSH-së të forcojnë bashkëpunimin me ILO-IPEC në Tiranë, me qellim që strukturat e saj dhe të federatave në përbërje të saj, në qendër e në nivel lokal, të përfshihen në veprimtaritë e organizuara në kuadrin e projekteve për luftën kundër punës së fëmijëve ose e zbatojnë vetë projekte në këtë fushë, duke ndërmarrë veprime konkrete me synim uljen e numrit të fëmijëve që punojnë.
  3. KSSH të zbatojë projekte në bashkëpunim me ICFTU dhe me organizatat sindikale simotra, me synim ngritjen dhe funksionimin e strukturave të posaçme dhe angazhimin në veprimtari  konkrete për parandalimin e punës së fëmijëve,
  4. Të zgjerohet më tej bashkëpunimi me organizatat jofitimprurese, OJF, shqiptare që janë të angazhuara në këtë fushë dhe të punohet për një bashkëpunim të mëtejshëm me komunitetin, organet e pushtetit vendor dhe vetë nxënësit e fëmijët për të krijuar një front të përbashkët kundër punës së fëmijëve.
  5. Të sigurohet një bashkëpunim më i mirë me qendrën e trajnimit dhe Studimeve sindikale për organizimin e seminareve dhe trajtimin e temave të mbrojtjes së fëmijëve dhe eliminimit të punës së tyre me drejtuesit sindikalistë, si edhe për ndërmarrjen e studimeve e vëzhgimeve në lidhje me punën e fëmijëve, shkaqet, drejtimet e punës për reduktimin e saj, përmirësimet ligjore etj., përfundimet e të cilave të shërbejnë si bazë për veprime konkrete të strukturave sindikale në qendër e në nivel lokal.
  6. Të ndikohet në Këshillin Kombëtar të Punës, me synim që të analizohet problemi i punës së fëmijëve dhe të merren vendime në lidhje me angazhimin e strukturave qeveritare qendrore e lokale për reduktimin e saj, sidomos nëpërmjet forcimit të inspektoriatit të punës dhe ndihmës për familjet me probleme, që, për shkak të mbijetesës, i largojnë fëmijët nga shkolla dhe i detyrojnë të punojnë.
  7. Gjatë negocimeve që do të bëhen nga federatat në përbërje të KSSH-së për kontratat  e reja kolektive të punës, të përfshihen edhe problemet që lidhen me parandalimin e punës së fëmijëve, sipas pikave që përfshihen edhe në këtë rezolutë.