Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

Rezolutë e Kongresit të Tretë të FSASH

Për zgjerimin e angazhimit të strukturave të FSASH-së

për parandalimin e punës së fëmijëve

 

Kongresi i Tretë i FSASH-së, i mbledhur në Tiranë më 5 dhe 6 nëntor 2004, mbasi diskutoi në lidhje me përfshirjen dhe rritjen e rolit të FSASH-së në luftën kundër punës së fëmijëve, miraton këtë Rezolute:

1.      Kongresi vlerëson punën e deritanishme në lidhje me përfshirjen dhe angazhimin e strukturave të FSASH-së për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e punës së tyre.

2.      Kongresi ngarkon Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e FSASH-së që të zgjerojnë angazhimin e tyre, sidomos ne drejtim të trajnimit të drejtuesve sindikalistë në nivel qendror e lokal, me qellim që ata vetë të njohin standardet ndërkombëtare në lidhje me punën e fëmijëve dhe të punojnë për të zgjeruar rrjetin e mësuesve që mund të merren me këtë çështje.

3.      Një ndër drejtimet e rëndësishme të Kryesise së FSASH-së në qendër, të seksioneve sindikale në rrethe dhe të këshillave sindikale në shkolla, të jetë puna me nxënësit që kanë braktisur shkollën ose që rrezikojnë ta braktisin atë, si kontigjenti më i mundshëm i punës së fëmijëve dhe trafikimit të tyre. Për këtë, të ndërmerren veprime konkrete në shkallë vendi e sidomos në 4-5 rrethet me numrin më të lartë të braktisjes së shkollës (Tiranë, Shkodër, Fier, Vlorë, Elbasan, Durrës, Korçë), me synim që brenda një periudhe dyvjecare të ulet numri i nxënësve që braktisin shkollën në këto rrethe me jo më pak se 25 për qind dhe në nivel kombëtar me jo me pak se 10 për qind.

4.      Krysia e Federatës të forcojë bashkëpunimin me ILO-IPEC në Tiranë, me qëllim që strukturat e FSASH-së në qendër e në nivel lokal të përfshihen në veprimtaritë e organizuara në kuadrin e projekteve për luftën kundër punës së fëmijëve, ose të zbatojnë vetë projekte në këte fushë, duke ndërmarrë veprime konkrete me synim uljen e numrit të nxënësve që braktisin shkollën dhe të fëmijëve që punojnë.

5.      FSASH të zbatojë projekte në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Arsimit, EI, dhe me organizatat sindikale simotra, me synim angazhimin në veprimtari konkrete për parandalimin e braktisjes së shkollës nga nxënësit me probleme dhe rritjen e numrit të mësuesve të angazhuar në luftën kundër punës së fëmijëve.

6.      Të zgjerohet me tej bashkëpunimi me organizatat jofitimprurese, OJF, shqiptare që janë të angazhuara në këtë fushë dhe të punohet për një bashkëpunim të mëtejshëm me komunitetin, administratat e shkollave, organet e pushtetit vendor dhe vetë nxënësit e fëmijët për të krijuar një front të përbashkët kundër punës së fëmijëve.

7.      FSASH të zgjerojë bashkëpunimin me Sindikatën e Pavarur të Arsimit Shqiptar, SPASH, dhe të bëhet nxitëse për përfshirjen edhe të sindikatave të degëve të tjera në luftën kundër punës së fëmijëve, duke organizuar veprimtari të veçanta ose duke i përfshirë drejtuesit e këtyre sindikatave në veprimtaritë e organizuara prej saj.

8.      Të sigurohet një bashkëpunim më i mirë me qendrën e trajnimit dhe studimeve sindikale për organizimin e seminareve dhe trajtimin e temave të mbrojtjes së fëmijëve dhe eliminimit të punës së tyre me drejtuesit sindikalistë të arsimit dhe të degëve e profesioneve të tjera, si edhe për ndërmarrjen e studimeve e vëzhgimeve në lidhje me punën e fëmijëve, shkaqet, drejtimet e punës për reduktimin e saj, përmirësimet ligjore etj., përfundimet e të cilave të shërbejnë si bazë për veprime konkrete të strukturave sindikale në qendër e në nivel lokal.

9.      Seksionet sindikale në rrethe dhe këshillat sindikale në bazë të ndërmarrin veprime konkrete për evidentimin e gjëndjes së nxënësve që braktisin shkollën dhe të fëmijëve që punojnë, me qellim që, në bashkëpunim me administratat e shkollave dhe komunitetin, të angazhohen për uljen e numrit të tyre.

10.  Të ndikohet në Këshillin Kombëtar të Punës, që të analizohet problemi i punës së fëmijëve dhe të merren vendime në lidhje me anagzhimin e strukturave qeveritare qendrore e lokale për reduktimin e saj, sidomos nëpërmjet forcimit të inspektoriatit të punës dhe ndihmës për familjet me probleme, që, për shkak të mbijetesës, i largojnë fëmijët nga shkolla dhe i detyrojnë të punojnë.

11.  Gjatë negocimeve që do të bëhen me Ministrinë e Arsimit e të Shkencës dhe Ministrinë e Pushtetit Vendor për kontratën e re kolektive të punës, të përfshihen edhe problemet që lidhen me parandalimin e punës së fëmijëve, sipas pikave që përfshihen edhe në këtë rezolutë.