Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

 

ÇDO MËSUES DUHET TE JETË I SINDIKUAR
Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të SPASH-it

Në mbledhjen e datës 10.04.2009 të  Këshillit Kombëtar të SPASH, ku moren pjesë drejtues të këshillave sindikale të SPA të 27 rretheve, u trajtuan dy probleme kryesore:
1-Mbi  ndryshimet në statutin e SPASH
2-Ecuria e zgjedhjeve në shkolla.
Në fjalën e hapjes që mbajti Presidenti i SPASH, Z.Bajram Kruja, në emër të Komitetit Drejtues, ndër të tjera, vlerësoi fillimin e mbarë të fushates zgjedhore per zgjedhjen e drejtursve sindikalistë në shkolla në të gjitha rrethet ku vepron SPASH. Ai theksoi se procesi zgjedhor, sipas informacioneve qe kemi, po ecen normalisht dhe në përputhje me detyrat e afatet e përcaktuara në mbledhjen e kaluar të Këshilit Kombëtar. Gjithashtu,  ai  rikërkoi nga të pranishmit nxitjen e sindikalistëve të bazës për të dhënë mendime në lidhje me përmirësimet e mundëshme në Statut dhe ne Kontratën e re Kolektive që do të nënshkruhet në fund të këtij viti.
Me pas, anëtarët e Këshillit Kombëtar të pranishëm në mbledhje, diskutuan mbi ecurinë e problemet e dala gjate procesit zgjedhor në shkolla për secilin rreth.
Z. Haxhi Meçuli, kryetar i SPA të qytetit të Tiranës, nder te tjera, tha se këto zgjedhje po na shërbejnë edhe për të verifikuar më mirë anëtarësinë tonë aktuale, pasi ka patur shumë lëvizje të mësuesve nga një shkollë në tjetrën. Gjithashtu, po punojmë për të rritur numrin e anëtarësisë, ku dua të them se gjatë dy muajve të fundit kemi ngritur sindikatën në 20 kopshte të qytetit të Tiranës ku më parë punonjësit nuk kanë qënë të organizuar në sindikatë.
Në ndërhyrjen e tij z.Bajram Kruja vlerësoi  punën e mirë të dy drejtuesve të Tiranës, zotërinjve Haxhi Meçuli e Shaban Duka, dhe verejti se shembulli i tyre duhet të ndiqet edhe nga disa drejtues  te SPA të rretheve, ku numri i të sindikuarëve është në përqindje të ulët, krahasuar me numrin e përgjithshëm të mësuesve në rreth. Motoja jone ne keto zgjedhje është:- “Cdo mësues duhet të jetë i sindikuar”. Ndaj të gjithë duhet të punojmë për anëtarësimin e të gjithë atyre mësuesve që deri tani nuk bëjnë pjesë në asnjërën prej sindikatave të arsimit.
Zv.Presidentja e SPASH, zj.Bukuroshe Shabani ,e cila njëkohësisht është edhe kryetare e SPA Elbasan, u ndal në punën e mirë që po bëhet në këtë rreth për anëtarësimin e personelit të kopshteve në SPASH. Ajo u rindal, gjithashtu, në problemin më shqetësues që ka si kryetare e Sindikatës së Pavarur të Arsimit, për mos ndaljen e kuotizacionit të anëtarësisë së sindikatës në bordero nga ana e Degës së Thesarit të rrethit. Me gjithë këmbënguljen e saj si kryetare e sindikatës, për ndalesën e kuotizacionit në bordero, e drejtë kjo e ligjëruar në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë dhe e nënshkruar edhe në Kontratën Kolektive të lidhur ndërmjet dy sindikatave të arsimit, (SPASH e FSASH), dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Shkences, përsëri ngelet e pakuptueshme arsyeja përse Dega e Thesarit e Elbasanit bëhet pengesë, kur në të gjitha rrethet e tjera nuk ka asnjë shqetesim nga DAR dhe ZA per ndalesën e kuotizacionit ne bordero sipas deklaratave te anëtarësisë, ashtu siç është e parashikuar edhe në Kodin e Punës.
Edhe ne Tropojë procesi zgjedhor ne shkolla po ecën normalisht - tha në diskutimin e tij kryetari i SPA të rrethit Z.Haxh Murathi. Nga 337 mësues gjithsej që janë në rreth, 231 prej tyre aderojnë ne SPASH dhe deri në Kongresin e V të SPASH do të punojmë që ky numër të shkojë në rreth 280 anëtarë.
Hyqmet Kaçaniku, kryetar i SPA Gramsh, u ndal në rolin që duhet të luajë sindikata për mbrojtjen sa më mirë të anëtarëve të saj, duke i’u referuar rastit të transferimit të një kryetare të sindikatës së një shkolle, pa marre mendimin e sindikatës, me arsyetimin se nuk ka arsimin e lartë. Gjithashtu, ai theksoi se kanë përfunduar zgjedhjet në 24 shkolla dhe jemi në vazhdim në shkollat e tjera. Në SPA Gramsh aderojne gjithsej 350 anëtarë më kuotizacion të rregullt.
Shumë mirë po ecën procesi zgjedhor edhe në shkollat e rrethit te Korçës, ku drejton nje nga sindikalistet më me përvojë, mesuesja e talentuar Albina Pepo, e cila qëndron në krye te SPASH-it persa i perket numrit të anëtarësisë dhe derdhjes se kuotizacioneve me 1150 anetare dhe që çdo ditë anëtarëson mësues të rinj në sindikatë.
Në diskutimin e tij z.Luan Zonja, kryetar i SPA Lushje, tha: Nuk është e lehtë të jesh në krye të një sindikate siç është sindikata e arsimit ne rreth, pasi hasim vështirësi dhe probleme të shumta në disa shkolla të veçanta, por, megjithatë, ndjen kënaqësi, kur punon mbi bazën e një kontrate kolektive si e jona, ku mesuesit ndihen të mbrojtur dhe besojnë në forcën e SPASH. Këtë e tregojnë edhe anëtarësimet në rreth 900 anëtarë që kemi deri tani dhe që deri ne fund të vitit 2009, në prag të lidhjes së kontratës së re kolektive, për të cilën mendoj se duhet ta përmirësojmë më tej, do të punojmë të arrijmë në 1100-1200 anëtarë, duke theksuar se në punën tonë kemi patur mbështetjen e kryesisë se SPASH dhe të BSPSH në rreth.
Në arsim sot ka tre kontigjente mësuesish,-theksoi në fjalën e tij z.Shpëtim Sino, kryetar i SPA Fier: mësues anëtarë të SPASH-it, anëtarë të FSASH-it dhe indiferentët, me të cilët duhet të punojmë që edhe këta të fundit të anëtarësohën në sindikatë. Në lidhje me diskutimet mbi kontratën kolektive mendoj se ne kontratën e ardhshme duhet të përcaktohet qartë që, kur mesuesi,,anëtar i sindikatës, del ne pension, perfiton dy paga shpërblim dhe jo deri ne dy paga shperblim, pasi me kete eshte abuzuar dhe të pakta janë rastet kur mesuesit kanë përfituar dy paga.
z.Dëfrim Spahiu, Zv/President i SPASH-it, gjatë ndërhyrjeve të tij, theksoi nevojën e shfrytëzimit të periudhës zgjedhore për shtimin e numrit të të anëtarësuarëve, sidomos në rrethet e Malësisë se Madhe, Beratit, Gjirokastrës etj, ku, sipas diskutimeve  të z.Binak Jocaj, Joli Papa e Roland Çomo, u vu re që numri i të anëtarësuarëve është relativisht i ulët, krahasuar me numrin e përgjithshëm të mësuesve në rrethe. Gjithashtu, ai theksoi se është e domosdoshme që Kryesia e SPASH dhe departamenti i organizimit të bëjnë çështë e mundur që deri në nënshkrimin e kontratës kolektive, të riorganizohet sindikata në rrethet Kavajë, Kukës, Sarandë, Përmet dhe Skrapar.
Edhe në diskutimet e z.Aleks Dushi, Gjergji Treska, Arben Kola, Pjetër Prenga, Valbona Ago, Afërdita Myzyri, respektivisht kryetarë të SPA Shkodër, Pogradec, Burrel, Lezhë, Ersekë e Librazhd,u evidentua puna e mire që po bëhet për zgjedhjen e drejtuesve sindikalistë ne shkolla, në përputhje me statutin e SPASH dhe kerkesat e partneritetit me DAR dhe ZA në zbatim të kontratës kolektive .
Në përfundim z.Bajram Kruja, President i SPASH-it, pasi falenderoi të pranishmit për punën e bërë, kërkoi edhe njëherë plotësim të saktë të dokumentacionit, tërheqjen e mendimeve të sindikalistëve në shkolla, për ndryshimet e nevojshme në Statut dhe përmirësimin e kontratës se re kolektive, si dhe çdo kryetar rrethi të njoftojë një javë përpara datën e zhvillimit të konferencës për zgjedhjen e kryetarit të SPA të rrethit, me qëllim monitorimin e të gjitha konferencave zgjedhore nga kryesia e SPASH.