Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

 

Bashkëpunimi i frytshëm i seksioneve të SPASH dhe FSASH në Korçë
për shmangien e braktisjes së shkollës dhe eliminimin e punës së fëmijëve

Fryma e bashkëpunimit ndërmjet SPASH and FSASH, sidomos në kuadrin e zbatimit të projektit me sindikatat holandeze FNV/AOb, po reflektohet edhe tek seksionet e tyre në rrethin e Korcës. Sindikatat tona në bazë, kanë hyë tashmë në një fazë të re të rëndësishme, në veprimtarine e tyre, e cila ka nevojë të kuptohet drejt prej mësuesve sindikalistë dhe të mbështetet fuqishëm, sepse ajo po zgjeron sferën e ndikimit të saj, jo vetëm për mbrojtjen sindikale, por edhe për politikat arsimore të së ardhmes. Ky bashkëpunim po rrit kontaktet midis sindikalistëve, jo vetëm brenda një shkolle, por edhe midis shkollave në zona urbane e rurale, në shkallë rrethi e vendi. Bashkëpunimi i mirë i dy sindikatave për trajnimet e organizuara nga qendra ka sjellë në duart e sindikalistëve materiale me vlerë për punën me nxënësit në përgjithësi e sidomos me ata të quajtur “të vështirë”, si edhe për atë që duhet bërë në familjet dhe komunitetin, DAR e pushtetin vendor dhe qeverinë e nxënësve.
Një punë të mirë kanë bërë dy sindikatat tona për realizimin me sukses të objektivave të caktuara në kuadrin e projekteve që SPASH dhe FSASH janë duke zbatuar në bashkëpunim me sindikatat holandeze FNV e AOb, Organizatën Ndërkombëtare të Arsimit, EI, dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Aktivitete të larmishme dhe punë konkrete po organizojnë seksionet tona, sidomos në katër shkollat e rrethit tonë: “Asdreni” e “Naim Frashëri” në qytet dhe Pojan e Sheqeras në zonat rurale, për mbrojtjen e fëmijëve, shmangien e braktisjes së shkollës dhe eliminimin e punës së fëmijëve. Tendenca e braktisjes së shkollës dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të punës së fëmijëve nga prindër e biznese të pandershëm tashmë janë të pranishme dhe përbëjnë shqetësim real për seksionet tona sindikale, puna e të cilave rezulton të jetë frytdhënëse.
Ky angazhim në rrethin tonë ka shërbyer për ngritjen e grupeve mbi bazë shkolle dhe trajnimi që iu bë sindikalistëve të zgjedhur hapi prespektiva të qarta për atë që do të bëhej më tej. E rëndësishme ishte faza e evidentimit në terren te nxënësve që kishin braktisur shkollën, te atyre që punonin dhe kontigjentit që mund ta braktisin atë nga dita në ditë. Shpërndarja e pyetësorëve tek mësuesit dhe plotësimi i tyre, duke kontaktuar drejtpërdrejt me nxënësit, evidentoi të dhëna që na vendosnin para detyrash më delikate. Para çdo grupi mësuesish, të intervistuarit shpalosën vehten dhe problemet e vështira që shoqërojnë familjet e tyre. Numri i nxënësve të evidentuar që në hapat e parë të punës ishte 104, me të cilat do të punonin, jo vetëm mësuesit e trajnuar, por edhe të tjerë, duke e zgjeruar kështu pjesmarrjen me elemente të rinj të grupeve të ndryshme shoqërore; shkollë-familje-komunitet.
Punë konkrete u bë në shkollat Sheqeras dhe Pojan, ndaj me mirënjohje falenderojmë mësuesit sindikalistë e të palodhur: Liljana Hysolli, Drita Lino, Servet Mustafa, Edmond Gjolli, Fatos Kello. 35 nxënës kishin braktisur mësimin në këto shkolla dhe rreth 40 të tjerë ishin kontigjent për ta braktisur atë. Shumë të tjerë, në emër të ndihmës që duhej t’u jepnin familjeve, kryenin punë nga më të ndryshmet. Takimet më prindër, bisedat me ta dhe aktorë të tjerë të interesuar, do të mundësonin një klimë më të favorshme në punën e mësuesve drejtpërdrejt me nxënësit. Rezultatet ishin të mira. Në një kohë jo fort të gjatë, u tërhoqën në bankat e shkollës 15 nxënës dhe u shmang braktisja me 25 të tjerë.
Duket sikur puna jonë ka insistuar vetem në këto shkolla, duke lënë pas dore shkollat e qytetit, por kjo nuk qëndron, pasi rezultatet e punës edhe ne shkollat e tjera u panë shumë qartë në seminarin që u organizua ne Korcë, në prani edhe të ekspertëve holandezë Marten Kircz dhe Michael Kersten. Në seancën që u zhvillua në mjediset e shkollës “Asdreni” me të gjithë aktorët e interesuar dhe pjestarët e familjeve të nxënësve, si edhe shoqatës së romëve etj, u gershetuan diskutimet për punën e bërë, rezultatet e arritura dhe detyrat për të ardhmen me programin artistik të grupit të shkollës, që tregoi vlerësimin dhe përgjegjshmërinë e seksioneve tona ndaj realizimit me sukses të këtij aktiviteti. Vlen të përmendet puna e mirë e mesueseve sindikaliste si Martha Xharo, Zhani Mlloja, Zhani Suljoti. 22 ishte numri i nxënësve që kishin braktisur shkollën tek “Asdreni”. Me ta punuan 7 mësues, anëtarë të dy sindikatave, të cilët duhen vlerësuar për faktin se nuk e patën të lehtë të tërhiqnin ne shkolle 5 prej tyre, duke mos u tërhequr edhe nga puna me të tjerët.
Ja se si shprehet një nxënëse e braktisur nga prindër të divorcuar dhe që jeton me gjyshen e saj, e cila kishte bërë një krijim që i dilte nga zemra e me lot në sy recitoi:

Kam dalë në rrugë
dhe lyp thërrime
I kam dy prindër
por jam jetime
Të gjithë luajnë e qeshin
dhe mua më përqeshin
Kur unë shkoj të luaj me ta
më thërrasin veç fukara
Nëna më lindi dhe më la
në rrugë të vetme pa vëlla
I lutem zotit të më ndihmojë
ose të më cojë ku të dojë.


Shkolla “Naim Frashëri” është shkolla me shkallë braktisje dhe rrezik më të lartë se gjithë të tjerat. Arsyet janë të shumta, sepse edhe kontigjenti i nxënësve të saj i përket komunitetit egjiptian dhe rom. Në këtë shkollë problemet e punës së fëmijëve dhe braktisja janë shumë të mëdha, ndaj puna jonë mund të zgjidhë një pjesë të vogël të tyre. Këtu duhet të bashkëpunojmë me mire me pushtetin vendor e atë qendror, me politikat e tyre të punësimit apo karakterin social-ekonomik, ku vlen të përmendet për punë të mirë sindikalistja Zhani Papa.
Me shumë efektivitet ishin edhe aktivitetet që u zhvilluan në zonën minoritare Liqenas, në kuadin e një programi që SPASH dhe FSASH zabatuan me mbështetjen e EI/NOT, ku u përfshinë më shumë se 40 nxënës dhe 16 mësues të shkollave 9-vjeçare Liqenas e Goricë. Ky angazhim pati efekt pozitiv, sepse trokiti dhe u bë pjesë e familjeve me probleme ekonomike dhe u “kujtoi”prindërve se fëmijet duhen arsimuar dhe pse ana ekonomike nuk i favorizon.
Në këto aktivitete u angazhuan shumë mekanizma si Komuna, drejtorite e shkollave, DAR, mësues e prindër, qeverite e nxënësve, gjë që forcoi besimin për rezultate të mira me permirësimin e marrdhënieve midis nxënësve dhe mësuesve sindikalistë.
Ngritja e problemit nga stafi i mësuesve të dy sindikatave për tekstet, si edhe për aktivitetet me shkollat përtej kufirit dhe komunitetin shqiptar, bënë sensibilizimin e Ministrisë së Arsimit dhe DAR për zgjidhjen e tyre.
Periudha shtator-dhjetor 2008 për dy seksionet tona sindikale ishte periudhë e rifreskimit të të dhënave, pasi mbyllja e vitit arsimor 2008 ia la vendin vitit të ri shkollor. Po kështu para nesh dilte detyra e verifikimit të nxënësve që qëndruan larg bankave të shkollës, sa të tjerë vazhdojnë të shfrytëzohen në punë të vështira dhe sa të tjerë mund ta braktisin atë.
Tashmë kemi një traditë dhe një angazhim rezultativ, jo vetëm të mësuesve të dy sindikatave, por edhe të nxënësve e të komunitetit, gjë që na jep siguri për një punë rezultative edhe në të ardhmen.

Albina Pepo, SPASH
Hektor Fejzulla, FSASH