Home Mbi FSASH-SPASH JO Punes se Femijeve Aktivitete Kalendari Revista Foto Galeri Kontakte

Zhvilloi punimet Kongresi i 6-te i FSASH

MBROJTJA E FIGURES DHE PROFESIONIT TE MESUESIT,
ANGAZHIM KRYESOR I FSASH

Me 18 dhjetor 2015, ne sallen e madhe të Muzeut Historik Kombetar, zhvilloi punimet Kongresi i 6-të i FSASH. Në punimet e Kongresit, nga 91 delegatë të zgjedhur nga 35 seksione sindikale të vendit, moren pjesë 89 delegatë.

Kongresin e hapi, Sekretari i Pergjithshëm i Federatës, Stavri Liko, i cili u uroi mirëseardhjen delegatëve dhe ftoi Kongresin të miratojë Rendin e Ditës dhe Komisionet përkatëse për zhvillimin e punimeve të Kongresit.

Tema qendrore e Kongresit ishte “ Mbrojtja e mësuesit, personalitetit, profesionit dhe misionit të tij, angazhim kryesor i FSASH”.


Fjalën Hyrëse rreth kësaj teme e mbajti kryetari i FSASH z. Xhafer Dobrushi.
Tema që po diskutojmë sot në këtë Kongres, theksoi ai, përben jo vetëm një bilanc të arritjeve sindikale të FSASH, por edhe një orientim e angazhim të ri të Federatës për të vënë më mirë dhe më me vendosmëri në vendin që i takon figurën e mësuesit, për të mbrojtur më efektivisht personalitetin, profesionin dhe misionin e tij. Mbrojtja e mësuesit, e profesionit të mësimdhënies, nuk është thjeshtë një problem vetëm i sindikatave. Ajo përbën dhe duhet të përbëjë një problem të madh shoqëror, sepse lidhet dhe ndikon drejtpërdrejt në edukimin dhe formimin e brezave me dije dhe kulturë, ka të bëjë me ritmet e zhvillimit të vendit, me progresin shoqëror.


Këtej buron edhe thirrja e Federatës Ndërkombëtare të Sindikatave të Arsimit , EI, e bërë dy vjet më parë: “Të bashkohemi të gjithë për një arsim publik cilësor – për një botë më të mirë”. Kësaj thirrjeje iu bashkuan 33 milion mësues sindikalistë nga e gjithë bota, qe militojnë në EI. Ky aksion sindikal që vazhdon, jo vetëm ka tërhequr vëmendjën, por edhe është përshëndetur e inkurajuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB- së, Ban Ki Mun.
Arritja e objektivit për arsim cilësor, vazhdoi z. Dobrushi, kërkon mësues cilësor, kërkon mësues me përgatitje të lartë profesionale, arsimore e shkencore, por kërkon edhe mësues të mbrojtur, të rrethuar nga kujdesi dhe respekti për figurën e tij, për profesionin e tij në shkollë dhe jashtë mjedisit shkollor; kërkon liri akademike në zhvillimin e dijeve të programuara, kërkon garanci për mbrojtjen e profesionit dhe të vendit të tij të punës, kërkon kushte e mjete pune dhe jetese të përshtatshme për profesionin që zhvillon.


Po ku duhet përqëndruar puna e sindikatave për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave?

Së pari, FSASH do të angazhohet me të gjitha mundësitë e veta për të ndërtuar një kuadër ligjor të plotë dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet e sotme europiane dhe Rekomandimet e ILO- UNESCO-s për “Statusin e Mësuesit”, - kuadër ligjor që garanton se emrimi në profesionin e mësuesit, lëzivjet e tij dhe largimi nga puna do të bëhën vetëm mbi bazën e aftësive, të përformancës, duke përjashtuar përgjithëmonë ndërhyrjën e politikës, të qëndrimeve e praktikave partiake dhe korruptive në këtë proces.
Është detyrë e FSASH, theksoi z. Dobrushi, që sindikata, jo vetëm të angazhohet e të ndikojë në krijimin e garancive ligjore që mbrojnë mësuesin e profesionin e tij, por edhe në denoncimin e praktikave të shpeshta të derisotme që nëpërkëmbin dhe denigrojnë këtë profesion, duke larguar të aftët dhe mësuesit me përvojë dhe duke i zëvëndësuar këta me militantë, herë djathtas e herë majtas, sipas rrotacionit të pushtetit dhe qeverisjes.


Garanci tjetër për ruajtjen dhe ngritjën e prestigjit të institucionit arsimor dhe të stafit mësimdhënës është ëdhe figura e drejtuesit te shkollës, niveli arsimor, përvoja dhe pjekuria e tij.  Sindikata duhet ta ngrejë zërin me forcë kundër rasteve të shumta të emrimit të drejtuesve të shkollave në kundërshtim me ligjin 69/2012, ku drejtues shkollash 9 vjecare, por edhe te mesme emrohen militantë, persona me formim të ulët arsimor, ndër të cilët edhe nga ata që nuk kanë punuar asnje ditë në arsim dhe janë të shumtë shembujt që drejtori i shkollës është me nivel arsimor më të ulët se i gjithë kolektivi që drejton.


Se dyti, si në fjalën hyrëse, ashtu dhe në diskutimet e delegatëve Petref Celaj, Fatos Hoxha, Pellumb Agolli, Irena Kocaqi, Dilaver Dika etj, u theksua me forcë se personaliteti i mësuesit është i lidhur ngushtë me vlerësimin dhe respektimin e profesionit te mësuesisë. Ky nuk është një shqetsim vetëm shqiptar, por mbarë europian dhe botëror. Ajo që kërkohet është ndryshimi i koncepteve dhe mentalitetit të vetë mësuesve për profesionin e tyre, pra për mësimdhënien cilësore.


EI dhe ETUCE kanë tërhequr vëmendjen e sindikatave të tyre anëtare të cdo vendi se, me rritjen e teknologjisë moderne te komunikimit dhe informacionit, ICT, në kushtet e ekonomisë globale dhe tendencës se qeverive për të privatizuar aspekte të gjëra të arsimit në kurriz të arsimit publik, ndryshojnë edhe marredhëniet, ndryshon edhe fakti se si ne ndërveprojmë me punëdhenësin, me qeverinë, me ofruesit e shërbimeve dhe me njeri -tjetrin. Ndaj profesioni i mësuesit, në këto kushte të reja, për cdo mësues, por vecanrisht për sindikatat, merr një rëndësi te dorës së parë. 
Ne këte situatë të re, roli i sindikatave është që para së gjithash, t’i bashkojnë të gjithë mësuesit për mbrojtjen e profesionit të tyre kundër deformimit dhe komercializimit të arsimit dhe t’i ndergjegjësojnë sindikalistët dhe mësuesit për kërkesat e reja që shtrohen para tyre, për një aftësim dhe kualifikim të pandërprerë, për një fizionomi të re të këtij profesioni të nderuar.

Së treti, Kongresi theksoi me forcë se FSASH mund t’i perballojë këto sfida vetëm duke forcuar e konsoliduar më tej të gjitha strukturat e veta, duke luftuar tradicionalizmin dhe mefshtësinë e cdo strukture, duke e mbajtur lidershipin në cdo nivel të freskët. Në këto pothuaj 25 vite, FSASH ka në bilancin e saj veprimtari sindikale dhe aksione e arritje që e nderojnë, që e dallojnë atë si një sindikatë profesioni që është ndërtuar dhe funksionon mbi baza të shëndosha statutore dhe ligjore. Lidershipi i FSASH nuk është vetëm një person, as disa persona. Forca e FSASH qëndron në faktin se ky lidership përbëhet nga dhjetra dhe qindra drejtues, nga niveli i shkollës, seksionit dhe deri ne qendër, ku spikatin drejtues të devotshëm dhe me përvojë, që të gjithë së bashku e kanë ngritur FSASH në nivelin që është sot, në një bashkësi sindikale që dëgjohet dhe respektohet nga sindikalistët dhe në arenën ndërkombëtare.


Por, që ta ruajmë e konsolidojmë këtë nivel dhe të  kryejmë mirë mbrojtjen e sindikalistëve dhe mësuesve, që të japim kontributin tonë të ndjeshëm në reformimin dhe modernizimin e arsimit, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të posacme rinovimit të lidershipit, që është garancia kryesore për ndryshime të vazhdueshme dhe rritje të nivelit të shërbimeve që ofron sindikata. Kjo kërkon harmonizimin e drejtuesve me përvojë me sjelljen në udhëheqje të të rinjve dhe të rejave. Prandaj motoja e FSASH duhet te jetë :
« Përvoja vlerësohet dhe është e nevojshme, por rinovimi dhe ndryshimi i vazhdueshëm është dhe do të jetë i domosdoshëm »

Pas paraqitjes së bilancit financiar të Federatës nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, Stavri Liko, Kongresi miratoi veprimtarinë financiare të Federatës dhe detyrat kyesore në këtë fushë për pesë vitet e ardhëshme.

Kongresi miratoi me unanimitet disa ndryshine në Statutin e Federatës dhe rizgjodhi Z. Xhafer Dobrushi ne postin e kryetarit te FSASH për një mandat të pjesshëm, deri në thirrjen e Kongresit të 7-të për zgjedhjën e Kryetarit te ri.